Blerje bombulash oksigjeni nga faqet online, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

30

Prokuroria e kryeqytetit ka nisur hetimet për shitjet online të bombulave të oksigjenit. Trajtimi i pacientëve në shtëpi ka bërë që të mos paraqiten në spital edhe në momentet, kur duhet ndihmë e specializuar.

Mendohet se personat në shtëpi po kurohen me pajisje të blera në faqe online. Prokuroria ka nisur hetimet për disa nga këto faqe që tregëtojnë bombula oksigjeni pasi mendohet se bombulat janë jashtë standarteve të nevojitura.

Çmimi i këtyre aparateve varion nga 500 deri në 800 euro bëjnë me dije burimet për mediat. Gjithashtu ekziston mundësia për t’i marrë me qira nga 100-120 euro.

Prokuroria u vu në lëvizje pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët raportuan rastin e blerjes së një bombule për të atin e sëmurë me COVID i cili u dërgua në spital vetëm 4 ditë para se të ndërronte jetë.

Prokuroria po heton gjithashtu rastin e një të moshuari të cilit njëra nga këto bombula i shpërtheu në shtëpi. Në shtëpinë e tij u gjendën edhe dy bombula të tjera për përdorim vetjak të familjarëve.