Xho Biden, president i SHBA-ve ka shprehur qartë mendimin e tij në lidhje me Kosovën.
Në Ditën Kombëtare të Serbisë, Biden i ka kërkuar palëve të bien dakort për të njohur Kosovën si shtet të pavarur.
“Teksa kujtojmë 140 vite partneritet mes dy vendeve tona, e mbështetim pa lëkundje qëllimin e Serbisë për integrimin europian, si edhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, të përqendruar te njohja reciproke”, thuhet në mesazhin e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe Vuçiç.
“Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Faleminderit për urimet. Ndërsa sa i përket njohjes reciproke, kjo nuk figuron në asnjë akt të ndonjë organizate botërore.
Ne e kuptojmë se kjo është një politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta pranojmë si zgjidhje përfundimtare në Uashington. Unë tashmë ua kam thënë një herë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen dhe përgjigja ime nuk do të jetë ndryshe”, ka thënë Vuçiç.