Ballina BOTA Prishtinë, ministri kosovar Bytyqi takim me ambasadoren e Izraelit

Prishtinë, ministri kosovar Bytyqi takim me ambasadoren e Izraelit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti sot në një takim ambasadoren e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, me të cilën bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës mes dy vendeve.

Bytyqi falenderoi ambasadoren për bashkëpunimin e deritanishëm të Izraelit me Kosovën, por theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi dhe në këtë drejtim përmendi historinë e mirë që ka populli ynë me popullin hebre gjatë holokaustit dhe në vazhdimësi.

Ndërsa, ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm theksoi se është e rëndësishme që të identifikohen fushat e bashkëpunimit, ndërsa përmendi disa mundësi që ofron shteti i saj dhe që janë më të lehta për t’u realizuar dhe se Izraeli është i hapur për bashkëpunim institucional, por edhe me OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.