Ballina Aktualitet BE shton fondet për sigurinë ushqimore në Shqipëri

BE shton fondet për sigurinë ushqimore në Shqipëri

Bashkimi Evropian do të fillojë dhe financojë një projekt i cili është zbatuar me sukses nga shtete si Irlanda dhe Finlanda, për të garantuar dhe rritur edhe më tepër sigurinë ushqimore në Shqipëri.

Gjatë një takimi të zhvilluar mbi sigurinë ushqimore, ku të pranishëm ishin ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, ministrja e Shtetit të Irlandës, Helen McEntee dhe Sekretari i Shtetit të Finlandës, Samuli Virtanen, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi theksoi se partneriteti i cili vjen falë BE, do të zgjasë 4 vite dhe do të shtrihet në të gjithë zinxhirin ushqimor në Shqipëri.

“Sot fillojmë një partneritet të gjatë me 2 autoritete shumë prestigjioze në Evropë që kanë të bëjnë me sigurinë e ushqimit, një partneritet që vjen fal një programi të mbështetur nga BE dhe delegacioni i saj në Tiranë. Partneriteti që do të zgjasë katër vite dhe që do të shtrihet në atë që ne e quajmë zinxhiri i Sigurisë Ushqimore. Kjo për 2 arsye shumë të rëndësishme, e para, sepse duhet të sigurojmë të gjithë Shqiptarët që të ushqehen me ushqim të sigurt dhe e dyta, sepse është shumë e rëndësishme për të pasur standarde të BE, në mënyrë që produktet Shqiptare që vlerësohen nga shija në të gjithë rajonin dhe më gjerë, të vlerësohen edhe nga ana e sigurisë, dhe kjo do të garantojë një sukses të sektorit të bujqësisë në Shqipëri,” – theksoi Çuçi.