Ballina Aktualitet BE: Krijimi i KLP e KLGJ, sukses në proçesin e vettingut

BE: Krijimi i KLP e KLGJ, sukses në proçesin e vettingut

Pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, vjen një mesazh pozitiv edhe nga Bashkimi Europian.

Deklarata nga Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri

“Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri mirëpresin krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas zgjedhjes së anëtarëve magjistratë më 11 dhe 12 dhjetor. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Kjo konfirmon pakthyeshmërinë e reformës dhe suksesin e proçesit të vetingut, si një bazë e domosdoshme për krijimin e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor. Krijimi i dy Këshillave do të mundësojë tani krijimin e strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Kjo do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të progresit të bërë me reformën e drejtësisë.”