Ballina Aktualitet BE, konkluzione kritike për Kosovën, liberalizimi i vizave ende në shqyrtim

BE, konkluzione kritike për Kosovën, liberalizimi i vizave ende në shqyrtim

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka listuar një sërë kritikash për veprimtarinë e qeverisë së Kosovës dhe situatën me zbatimin e ligjit në vend. Një dokument paraprak që pritet të miratohet gjatë ditës shuan shpresat e qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e shpejtë të vizave dhe vë theksin te kthimi në tryezën e dialogut me Serbinë.

Këshilli Europian pritet të adoptojë konkluzione kritike për ecurinë e reformave në Kosovë.

Në bazë të dokumenteve paraprake të siguruara nga mediet në Prishtinë, raportohet se vendet anëtarë sërish e kanë shtyrë vendimin për liberalizimin e vizave.

Shumë nga pikat e miratuara nga Këshilli nuk kursejnë kritikat për qeverinë e Kosovës, duke kërkuar një dinamikë të re për reformat, të ashpërsohet lufta ndaj korrupsionit, ekstremizmit terrorist, ekonomisë informale, si edhe të adresohen mangësitë në kodin elektoral.

Theks të veçantë i jepet normalizimit të raporteve me Serbinë, ku edhe një herë përsëritet qëndrimi i palëkundur për heqjen e tarifave doganore.

“Prishtina duhet të revokojë urgjentisht tarifat mbi importet serbe dhe ato boshnjake, si edhe të shmangë çdo masë që mund të perceptohet si provokim. Është thelbësore që dialogu të rinisë sa më parë, në mënyrë që nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe ligjërisht të detyrueshme, si Kosova, edhe Serbia të mund të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian.”

Të tjera kritika rezervohen për praktikat nepotike apo për caktimin e personave të dënuar për krime lufte në pozita të larta zyrtare.

Ndërkaq vlerësohet puna e ekzekutivit në adoptimin e legjislacionit për sundimin e ligjit dhe reformimi e administratës publike.