Ballina BOTA BE konfirmoi stadin e reformave, opozita baltë ndaj Vetingut

BE konfirmoi stadin e reformave, opozita baltë ndaj Vetingut

“Mbledhja e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian konfirmoi stadin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, reformës në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në seancën plenare të Kuvendit.

“Vendet e BE përcaktuan një agjendë të qartë për fillimin e punës përgatitore për procesin screening. Proces që ka filluar ndërmjet KE dhe administratës shqiptare”, tha Bushati.
ministri Bushati u shpreh se është e pakuptueshme sjellja e opozitës dhe mos votimi i ligjeve për shkollën e Magjistraturës apo qëndrimi ndaj Reformës në Drejtësi.

“Është e pamundur të kuptohet balta e opozitës ndaj procesit të Vetingut, i cili është në fund të ditës një proces pastrimi radikal i pallatit të drejtësisë dhe rikthimi i besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë”, tha Bushati.

Duke folur për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor”, Bushati u shpreh se kjo marrëveshje është e rëndësishme si pjesë procesit të Berlinit e iniciuar si bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në shembullin e Gjermanisë dhe Francës.
“2 milionë euro është fondi vjetor që japin të gjitha vendet për Ballkanin Perëndimor, por kryesisht Gjermania dhe Franca. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur kontinenti kishte nevojë për pajtim Gjermania dhe Franca sjellin përvojën e tyre si shembull për Ballkanin Perëndimor”, tha Bushati.

“Janë rreth 35 projekte që rrokin një numër të caktuar organizatash rinore. Synojmë të shtojmë më tej praninë e nismave të tilla rajonale në Tiranë”, tha Bushati.