Ballina Sport Bota Basketboll, KS Teuta triumfon në Ligën Ballkanike

Basketboll, KS Teuta triumfon në Ligën Ballkanike

Në ndeshjen e djeshme, të luajtur në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, Teuta e Durrësit regjistroi fitoren e dytë radhazi në kuadër të Ligës Ballkanike në basketboll. Lojtarët durrsakë triumfuan ndaj Bashkimit të Prizrenit, me rezultatin bindës 88-64.

Teuta ishte në avantazh që në fillim të takimit dhe në pjesën e dytë nuk i dha asnjë mundësi ekipit kosovar që të ngushtojë diferencën.

Basketbollisti Endrit Hysenagolli shënoi 22 pikë dhe regjistroi 13 kërcime në tabelë për fituesit. Shtatlarti u ndihmua edhe nga lojtari Eric Copes me 17 pikë dhe Julian Hamati, i cili shtoi 14.

Teuta e Durrësit është ekipi që përfaqëson vendin tonë në Ligën Ballkanike, ku marrin pjesë edhe ekipet kosovare të Bashkimit të Prizrenit dhe Z Mobile të Prishtinës, BC Barsy Atyrau nga Kazakistani, KK Kuzov nga Maqedonia dhe ekipet bullgare të Akademik Bulteks 99 dhe BC Beroe.

Ndaj Bashkimit ishte ndeshja e dytë e Teutës, e cila erdhi pas fitores në ndeshjen hapëse të këtij kompeticioni, në të cilën durrsakët mundën Akademik Bulteks 99 me rezultatin 89-86.