Ballina LAJME Basha: Universitetet në krizën më të rëndë në 29 vjet

Basha: Universitetet në krizën më të rëndë në 29 vjet

Gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë dhe përfaqësues të arsimit të lartë në vend, kryetari i PD-së Lulzim Basha është shprehur se universitetet janë në krizën më të thellë në 29 vjet.

“ Vendi ndodhet, sa i përket arsimit të lartë, në krizën më të rëndë që ka parë në 29 vite. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë në krizën e financimit. Prej vitit 2013, ku buxheti për arsimin në tërësi kapi shifrën e 4,24 %, kjo shifër ka qenë në rënie graduale, për të arritur në vitin 2019 në 3,29 %, e projektuar në 3,05 % e prodhimit të brendshëm bruto. Kjo në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale të arsimit të lartë duhet të jetë jo më pak se 5 %. Kjo krizë është edhe më e rëndë, po të shohim se një pjesë e mirë e këtij buxheti nuk shkon as për pedagogët, as për infrastrukturën universitare, as për infrastrukturën e kërkimit shkencor, as për infrastrukturën konviktore, në fakt një pjesë e madhe e këtyre parave kanë shkuar për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, i cili siç jeni të gjithë dëshmitarë ka angazhuar fonde maramendëse, dhe një fasadë me të vërtetë llamburitëse të mermerit më të shtrenjtë, e tejkalueshme në kosto dhe në luks, vetëm nga orenditë e reja, të blera për të dekoruar zyrën e ministrit kryesisht,dhe disa prej sallave brenda ministrisë”, tha Basha.

Basha ka shtuar gjithashtu se shkollat dhe universitetet në Shqipëri po braktisen nga studentët, të cilët gjithmonë e më shumë braktisin vendin për të ikur jashtë, pasi këtu ka humbur shpresa.

“Braktisja e arsimit, padyshim që shoqërohet edhe me braktisjen e vendit. Një numër i madh i nxënësve, dhe në veçanti një numër i madh i studentëve, ju është pamundësuar për shkak të mos mbështetjes me fonde të arsimit të lartë, dhe për shkak të krizës ekonomike, ndjekja e universitetit”, deklaroi lideri demokrat Lulzim Basha.