Ballina LAJME Basha: Si Min.Jashtëm, m’u kërkua ndryshim i kufijve të Kosovës

Basha: Si Min.Jashtëm, m’u kërkua ndryshim i kufijve të Kosovës

Për herë të parë kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha ka treguar përpara shqiptarëve të Londrës se në kohën kur ishte ministër i jashtë, gjatë një takimi me autoritetet serbe i ishte propozuar nga Serbia për ndryshim kufijsh. Për këtë situatë Basha thotë se është vënë në dijeni edhe Kosova.

Një miku ynë i përbashkët, ish Minisitri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha para pak ditësh se çdo ministri të jashtëm i është propozuar ndryshimi i kufijve të Kosovës. S’e kam thënë më parë, por po e them tani nga Londra: Po, po. Edhe mua më është propozuar. Kanë ardhur, në atë kohë,  autoritetet serbe dhe më kanë paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Këtë e di unë, e di udhëheqja aktuale e Kosovës, se i kam informuar, e dinë partnerët tanë nga Uashingtoni në Londër, nga Brukseli në Berlin.” -u shpreh Basha.

Rikthimi i këtij diskutimi kufijsh kryetari i partisë demokratike thotë se nuk ja merrte mëndja se mund ta dëgjontë sërish nga  kreu i qeverisë Rama dhe  nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ju thashë më parë që jam i tmerruar nga papërgjegjësia totale, me të cilën ata mendojnë se mund të rikthejnë kohën e Millosheviçit apo kohën e luftrave të periudhës së Kongresit të Berlinit. Këta mendojnë akoma si të jenë në shekullin e 19-të. Po kurrë nuk ma kishte marrë mendja se idetë që do të dëgjoja nga goja e Vuk Jeremiçit dhe Ivica Daçiç, do t’i dëgjoja më vonë si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit. Këtë nuk ma kishte marrë mendja kurrë!”- tha Basha

Kryetari demokrat Lulzim Basha ishte në Londër, ku ftoi shqiptarët atje që të mobilizojnë njerëzit në Shqipëri, për të marrë pjesë masivisht në protestën e 25 majit në Tiranë me qëllim largimin e Ramës.