Basha në Durrës:”Gjithë Shqipëria e di se e diela është dita e fitores”

21

PD ka mbajtur mitingun e fundit në Durrës në prag të zgjedhjeve të së dielës.

Lulzim Basha deklaroi se Durrësi e di se e diela është dita e ndryshimit dhe fitores më të madhe.

“Jam i bindur se së bashku do të çelim derën e merituar të anëtarësimit në BE. Sepse çdo durrsak e di se ajo është rruga e vetme drejt mundësive, drejt mirëqenies, drejt lirisë, demokracisë ,drejt Durrësit siç e ëndërrojnë durrsakët. Buçet nga ky shesh si kurrë më parë, shkëlqen nga sytë tuaj dielli që sapo perëndoi, dhe me këtë rast iu uroj besimtarëve agjërim të lehtë dhe të pranuar. Dielli mund të ketë rënë poshtë horizontit të kaltër të Durrësit të mahnitshëm, por nuk i ka lëshuar sytë e nënave durrsake, të rinisë durrsake sepse Durrësi e di se dita e diel është dita e ndryshimit, është dita e fitores. Fitorja më e bukur dhe më e çmuar sepse nuk do t’i takojë një partie, as edhe një koalicioni, por do t’i takojë të gjithë durrsakëve, të gjithë shqiptarëve. Qeveria e ndryshimit që ju do të sillni me votën tuaj për numrin 9 do t’i takojë çdo shqiptareje dhe çdo shqiptari. 8 vite të gjata, 8 vite të vështira, plot dështime dhe mashtrime”, deklaroi kreu i PD.

Basha tha se një pyetje do të marrë përgjigje më 25 prill: “A do durojë Durrësi dhe 4 vite të tjera pas 8 vitesh të njeriut që nuk bëri asgjë, nuk mbajti asnjë premtim, që qeveris Durrësin me banda, shkel mbi intelektualët, mbi qytetarinë apo që për 8 vite me radhë ia kyçi portat Shqipërisë, duke ndalur në vend numëro aspiratën e shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa”.
“Edhe 4 vjet të tjera për atë që dështoi 8 vite me radhë. Që mashtroi dhe e bëri Durrësin një nga qytetet e emigracionit më të madh apo ndryshim? Bashkë për ndryshim. Kjo është thirrja që ushton dhe që ka bashkuar në mënyrën më të bukur, në një familje të madhe, në një komunitet zemrash që rrahin me një qëllim, t’ia kthejmë Durrësin qytetarëve. Durrësi nuk mund të jetë i oligarkëve as i bandave, ky është Durrësi juaj. Më 25 prill, durrsakët, demokratë e socialistë do ta rimarrin Durrësin, duke votuar numrin 9. Ky është Durrësi juaj, ky është vendi juaj”, deklaroi kreu i PD.