Basha i përgjigjet Ramës:”Burrë nuk të bëjnë bandat, por dashuria për atdheun”

53

Debate dhe përplasje fizike mes militantëve të PD dhe PS kanë ndodhur ditën e sotme.

Pasi kryeministri e akuzoi liderin e PD se nuk është burrë, por i emëruar nga Berisha e Meta në krye të opozitës ka ardhur reagimi i Bashës.

Basha është përgjigjur duke thënë se Rama duhet të lërë provokimet.

Basha tha se “burrë nuk të bëjnë bandat por dashuria dhe përkushtimi për atdheun”.

“Sot është një ditë feste është Dita e Luleve që është simboli kuptim plotë i thyerjes së dimrit me verën. E pra 14 Marsi i sotëm na ndan pak nga 25 prilli që do të jetë”, tha Basha.

Kryedemokrati thotë se incidentet sot në Elbasan, i nxiti Rama, pasi ai nuk e dinte se në çfarë ore do të mbërrinte kryeministri në Elbasan, teksa rezultoi që të dy shkuan në të njëjtën kohë, çka futi në një konflikt të pazakontë militantët e dy partive, që kishin dalë për t’i pritur, me thirrjet për fitore më 25 prill.

“Ngjarja e shëmtuar që provokoi Edi Rama, rrugët ishin edhe më plot pas këtij incidenti të shëmtuar që tregoi se qytetarët nuk e kanë frikë. Shqiptarëve u ka dalë frikë dhe janë të gjithë bashkë. Burrë nuk të bëjnë banditët me psitoletë në brez pa të cilat nuk hyn dot në qytetin e Elbasanit. Nuk të bëjnë dot burrë, burrë të bën përkushtimi ndaj vendit, që ti nuk e ke pasur. Burrë të bën dashuria për vendin që ty të ka munguar në çdo çast”, tha Basha.

“Shqipëria e ka ndarë mendjen, nuk ka ndryshim pa largimin, tënd ndaj mos i provoko shqiptarët. Nuk na tremb dot ne. Ty dhe një grushti banditësh dhe oligarkëve u ka ardhur fundi. Më 25 prill largojmë Edi Ramën”, ka qenë reagimi i Bashës, pas kthimit nga Elbasani.