Basha i bën apel qytetarëve:”Nëse doni ndryshimin, votoni ndryshimin jo kriminelët”

22

Lulzim Basha tha sonte se pas 25 Prillit kur shteti të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e votës edhe mbrojtja e votës nga partitë politike do të jetë pjesë e të shkuarës.

“Partia Socialiste në opozitë nuk do të ketë nevojë të angazhojë qytetarët, mbështetësit e saj për të mbrojtur votën, sepse detyrën për mbrojtjen e votës do ta kryejnë institucionet të cilat do të funksionojnë”, tha Basha sonte në intervistë televizive.

“Policia, prokuroria, qeveria e ardhshme e drejtuar nga unë do të garantojë që më 25 Prill të mbyllim një herë e mirë derën e zgjedhjeve si arenë përplasje ku thirret krimi për ndihmë për të pamundësuar të pandalshmen që është ndryshimi që do të vijë me votë. Prandaj në mënyrë absolute jam dakord me deklaratën e zonjës Kim”, tha Basha në Top Channel.

Në vijim Basha apeloi: “Zgjidhja dhe zgjedhja më 25 Prill kurrë nuk ka qenë më e thjeshtë. Nëse doni ndryshimin votoni ndryshimin. Nëse doni kriminelët votoni kriminelët. Dhe ajo që unë shoh është që shqiptarët masivisht do zgjedhin ndryshimin”.

“Edhe administrata publike që e kuptojnë se këtij i ka ardhur fundi dhe me 25 prill do t’i vijë fundi politikisht me votën më masive popullore. Janë zgjedhjet më të rëndësishme dhe do të kenë pjesëmarrjen më masive. Ndërsa ne do të kemi fitoren më të thellë si forcë politike, si koalicion. Fitoren që në fakt do t’i takojë gjithë shqiptarëve”, tha Z.Basha.