Ballina Aktualitet Basha flet për mediat italiane: Beteja jonë nuk është për pushtet

Basha flet për mediat italiane: Beteja jonë nuk është për pushtet

Kreu i PD, Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për të përditshmen italiane “Il fatto quotidiano” me gazetarin Giancarlo Padovan teksa ka folur për aktualitetin politik në Shqipëri si dhe protestat.  Basha ka thënë se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.

“Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.”- u shpreh lideri i opozitës.

Basha iu referua raporteve të 3 viteve të fundit të Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore.

Pyetjes se çfarë kërkon opozita ekzaktësisht, Basha i përgjigjet: “Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.”