Ballina Aktualitet Basha flet nga “Astiri”: Rama dhe Lleshaj, urdhër për të mbyllur protestën

Basha flet nga “Astiri”: Rama dhe Lleshaj, urdhër për të mbyllur protestën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shkoi në një vizitë të paparashikuar mbrëmjen e së martës pranë protestës së banorëve të Unazës së Re. Sipas Bashës kishte informacion se aty do të nisin arrestimet për ta shuar këtë protestë.

“Pushteti ilegjitim i ngritur mbi votën e vjedhur nga bandat po u shërben bandave. Policia ka marrë urdhër që të shoqërojnë banorët që kanë mbi 4 muaj që protestojnë natë për natë për të mbrojtur banesat e tyre, nga afera më korruptive, për të cilën sot duhet të ishte në burg Damian Gjiknuri dhe duhet të ishte marrë i pandehur Edi Rama.

Ky është një informacion i cili ka rrjedhur në mënyrë të besueshme, se një urdhër politik, i ardhur nga nivelet më të larta, supozohet nga Sandër Lleshaj e ndoshta edhe nga Edi Rama, për të kryer akte reprezaljeje e terrori mbi banorët.

Bisha kur është e plagosur, është më e rrezikshme në momentet e fundit. E ka kuptuar se i ka ardhur fundi dhe në vend që t’i vërë gishtin kokës, mendon se mund ta shtyjë duke ushtruar terror mbi qytetarët. Me çfarë argumenti hodhën gaz mbi protestuesit ditën e shtunë në protestë? Me të njëjtat argumente. Sepse këta janë të dalë nga bandat dhe u shërbejnë bandave, u shërbejnë bandave kundër popullit” – tha Basha.

Thuhet se mbrëmjen e sotme ka pasur forca të shtuara të policisë. Policia ka kërkuar më herët prej disa prej protestuesve që të paraqiteshin në komisariat, por ata nuk janë përgjigjur. Banorët thanë se ata do të arrestoheshin në protestë.