Baret, restorantet, transporti publik vatra të COVID-19, ja konstatimi i ISHP

64

Masat shtrënguese për baret dhe restorantet, pritet të zgjerohen nga zona e ish-Bllokut deri në gjithë Shqipërinë.

Gjithashtu pritet që të ketë kushtëzime edhe për transportin urban. Të gjitha këto masa të reja do të varen drejtpërdrejt nga vijimësia e koronavirusit në vend.

Autoritetet i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të kujdesen për veten, pasi gjobitja e tyre dhe evidentimi i çdo rasti shkeljeje është i pamundur për policinë.

Sipas informacioneve, baret, restorantet dhe transporti publik në kryeqytet konsiderohen vatra të COVID-19.

“Baret dhe restorantet në kryeqytet konsiderohen si vatra të përhapjes se koronavirusit, për shkak të mos respektimit të distancave nga një tavolinë tek tjetra. Kjo ka bërë që Komiteti i Ekspertëve të marrë në shqyrtim vendimin për kufizimin e orareve të këtyre subjekteve…”

Gjatë qëndrimit në bare maska nuk është detyrim, por distanca po.

“Nëse nuk respektohet distanca atëherë janë të riskuar”.

“Shërbimi urban është një tjetër pikë kritike në kryeqytet sa i takon përhapjes se koronavirusit. Në orare të caktuar autobusët janë të tejmbushur me pasagjerë. Një pjesë e mirë nuk i mbajnë maskat dhe ata që i mbajnë, i mbajnë në mënyrë jo korrekte, duke u bërë kështu faktor risku për infektim dhe përhapje të koronavirusit”.

“Është thënë që urbanët kanë dhe ato risk transmetimi. Ata që nuk mbajnë maska duhet të mbajnë maska, ndërsa për rregullat e tjera, personat që janë përgjegjës duhet të respektojnë protokollet”.

Ky ka qenë konstatimi i ISHP, teksa nuk janë dhënë detaje nëse do të ketë një mbyllje të këtyre shërbimeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here