Ballina Aktualitet Banka e Shqipërisë: Sektori financiar, i qëndrueshëm dhe i konsoliduar

Banka e Shqipërisë: Sektori financiar, i qëndrueshëm dhe i konsoliduar

Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori financiar është i qëndrueshëm dhe po konsolidon pozitat e tij.

Në veçanti, sektori bankar vijon të zgjerojë veprimtarinë, duke mbetur njëherazi likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ekspozimet e këtij sektori ndaj rreziqeve të tregut mbeten të kontrolluara, ndërkohë që rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët.

Nga ana tjetër forcimi i mbikëqyrjes bankare dhe mbështetja e stabilitetit financiar mbeten objektiva themelore të Bankës së Shqipërisë. Këto objektiva ushtrohen nëpërmjet rolit licencues, rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

Gjatë vitit 2018 u materializuan ndryshime të rëndësishme të pronësisë për disa banka. Me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u miratuan riorganizimi juridik nëpërmjet bashkimit me përthithje i disa bankave, si dhe ndryshimi apo zgjerimi i objektit të veprimtarisë të disa institucioneve të tjera financiare.

Ndryshimet e mësipërme strukturore pritet të ndikojnë në përmirësimin e eficiencës së veprimtarisë bankare dhe të ndërmjetësimit financiar.