Ballina Ekonomi / Biznes Banka e Shqipërisë, mungesa e Këshillit Mbikqyrës pengon marrjen e vendimeve

Banka e Shqipërisë, mungesa e Këshillit Mbikqyrës pengon marrjen e vendimeve

Banka e Shqipërisë tani nuk është në gjendje që të marë vendime, pasi gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës u ka përfunduar mandati. Për këtë arsye, deputeti socialist Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ka deklaruar se Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë “duhet të jetë funksional sa më parë.” Ai ka kërkuar që qeveria dhe Kuvendi të bashkëpunojnë për zgjidhjen e shpejtë të ngërçit.

“Duhet një bashkëpunim me qëllim që mos ketë një përplasje kandidaturash midis Kuvendit dhe qeverisë për të bërë gjënë e duhur, – ka thënë deputeti Braçe. – Të mos humbim më tepër kohë, sepse Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë duhet të jetë funksional një orë e më parë për detyrat që ka.”

Aktualisht, kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të BSH pritet të përzgjidhen prej grupeve parlamentare nga lista me 15 emra që kanë aplikuar. Kuvendi duhet të përzgjedhë tre kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të BSH dhe tre të tjerë i përzgjedh qeveria.