Ballina Aktualitet Banka e Shqipërisë: IDH-të shënojnë rritje në 9-mujorin e 2018-s

Banka e Shqipërisë: IDH-të shënojnë rritje në 9-mujorin e 2018-s

Banka e Shqipërisë raportoi se Fluksi i investimeve direkte të huaja (IDH) u rrit me gati 12% me bazë vjetore për nëntëmujorin e 2018-s, duke kaluar nga 678 në 758 milionë euro.

Por, në vetvete tremujori i tretë i këtij viti ka një rënie prej më shumë se 9 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo lidhet me projektin e ndërtimit të gazjellësit Trans-Adriatik, që po shkon drejt përfundimit. Fluksi i investimit nga ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik ka rënë me më shumë se 50%, duke krahasuar korrik-shtatorin e këtij viti me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në total si tremujor, investimet e huaja kanë zbritur nga 293 në 266 milionë euro.

Rënia e investimeve nga TAP dhe sektori i energjisë në përgjithësi është kompensuar nga rritja e tyre në industri, kjo e ndikuar nga shtimi i aktivitetit të “Bankers Petroleum”.

Vitet e fundit, pjesa më e madhe e investimeve nga jashtë, mbi 60 përqind e tyre kanë qenë të përqëndruara në sektorin energjetik dhe Shqipëria është në përpjekje për të zëvendësuar rënien e peshës së tyre nga përfudimi si projekte.

Investimet direkte të huaja në ekonominë shqiptare arritën kulmin në vitin 2016, kur regjistruan shifrën 942 milionë euro, ndërkohë që vitin e kaluar shënuan një rënie të lehtë.