Ballina Aktualitet Banka e Shqipërisë analizon efektet e forcimit të lekut, ulet inflacioni

Banka e Shqipërisë analizon efektet e forcimit të lekut, ulet inflacioni

Banka e Shqipërisë analizoi së fundi ndikimet që pati mbiçmimi i monedhës vendase në ekonomi. Mbiçmimi lekut ndaj euros ka ndikuar negativisht deficitin tregtar, por nga ana tjetër ka mbajtur inflacionin në nivele të ulëta poshtë objektivit .

Zhvillimet në kursin e këmbimit, sipas BSH dhanë ndikim nëpërmjet kanaleve të mëposhtme:

− Kanali i konkurrencës, i cili nënkupton se një forcim i kursit real të këmbimit ndikon në zgjerimin e deficitit tregtar. Ky kanal ka ndikim negativ mbi hendekun e prodhimit;

− Kanali i bilancit financiar të agjentëve ekonomikë. Forcimi i kursit real të këmbimit ul kostot e shërbimit të borxhit në euro prej kredimarrësve të pambrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe u mundëson atyre më shumë fonde të lira për konsum e investime. Impakti në ekonomi i këtij

kanali është pozitiv;

− Kanali i hendekut të normave reale të interesit në euro. Normat reale të interesit të kredisë në euro kanë tendencë rënëse si pasojë e forcimit të kursit të këmbimit dhe zvogëlimit të primit të rrezikut për kreditë në euro. Ky kanal jep impuls pozitiv në ekonomi;

− Kanali i çmimeve. Forcimi i kursit real të këmbimit ndikon në uljen e presioneve inflacioniste nga çmimet e importit dhe nëpërmjet hendekut të prodhimit (kombinimi i kanaleve të mësipërme të ndikimit).

Banka e Shqipërisë analizon se, dekompozimi i kontributit të faktorëve që ndikohen nga kursi i këmbimit, tregon se forcimi i lekut ka ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar gjatë vitit 2018. Megjithatë, ky efekt është balancuar pjesërisht nga impakti pozitiv i normave më të ulëta reale të interesit të kredisë në euro, dhe pjesërisht nga rritja e fuqisë blerëse të kredimarrësve të pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Banka arsyeton se, forcimi i kursit real të këmbimit mund të pasqyrojë një përmirësim të përcaktuesve strukturorë të tij të lidhur me rritjen e produktivitetit, përmirësimin e balancave të jashtme të ekonomisë, rritjen e kërkesës së huaj dhe zvogëlimin e dobësive strukturore të ekonomisë.