Ballina Stil / Modë “Banff Mountain Film Festival”, konkursi i aventurës dhe adrenalinës

“Banff Mountain Film Festival”, konkursi i aventurës dhe adrenalinës

Në kinematë e mbarë botës, nisi dje “Banff Mountain Film Festival”, konkursi ndërkombëtar i filmave me metrazh të shkurtër e të mesëm mbi kulturën malore, sportin dhe mjedisin.

Në festival marrin pjesë rreth 300 filma nga të cilët vetëm 60 përzgjidhen për t’u shfaqur në kinematë e botës. Shumica e filmave kanë për temë aventurat malore, ngjitje në shkëmbinj, çiklizëm, ski e shumë të tjera.

E përbashkëta e filmave të festivalit është dramaticiteti dhe adrenalina e lartë, vendet me shumë histori dhe karakter, emocioni, eksplorimi i vendeve të egra dhe pasioni për natyrën.

Përzgjedhja e filmave më të mirë të festivalit u bë në muajin nëntor dhe nga sot ata do të udhëtojnë rreth globit në 305 qytete të 20 shteteve dhe pritet të ndiqen nga rreth 2.2 milionë spektatorë.

Festivali i filmit “Banff” u lançua për herë të parë në vitin 1976 në Alberta, në Kanada. Pas 42 vitesh nga lindja, është një nga festivalet më prestigjozë në botë.

Veç një konkurs filmi, “Banff” është një event kompetitiv jo vetëm i zhanrit të filmit, por edhe i librave mbi natyrën dhe aventurën. Festivali ofron mundësinë e takimit të kineastëve profesionistë në këtë fushë, shkëmbimit të ideve dhe bashkëpunimit në një atmosferë tepër kreative dhe stimuluese.