Ballina LAJME Ballkan, nivele të larta të ndotjes nga smogu toksik

Ballkan, nivele të larta të ndotjes nga smogu toksik

Dimri ka ardhur dhe qymyri po digjet, duke e mbështjellë Ballkanin me një smog toksik, e duke i shndërruar qytetet e tij në më të ndoturat në planet.

Ndërsa qindra vende janë mbledhur në Poloni për një samit mbi klimën, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara këtë javë, banorët në këtë qoshe të Europës po pyesin nëse qeveritë e tyre do të bëjnë diçka për të trajtuar këtë plagë të përvitshme, që po merr me mijëra jetë.

Nivelet e ndotjes kanë arritur nivele alarmuese që në fillim të dhjetorit. Agjencia e lajmeve “AFP”, është ndalur në Ballkan, ku kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi është renditur i treti mes qyteteve më të ndotura në botë, ndërsa Sarajeva e pesta.

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, që varet tek impiantet me qymyr për më shumë se 95 për qind të nevojave energjetike, nuk qëndron larg tyre.

“Në 3 dekada që jap mësim nuk kam parë asnjëherë kaq shumë fëmijë të ftohur dhe të sëmurë”, – thotë Vesna Delevska, një mësuese 56-vjeçare në Shkup.
Impiantet energjetike me linjit në të gjithë rajonin, shumë prej të cilëve janë të vjetër dhe shumë ndotës, plus djegien e qymyrit për ngrohje në shtëpi, e mbushin ajrin me toksina.
Në Shkup dhe Sarajevë, një varg malesh bëjnë që ajri i rrezikshëm të bllokohet mbi luginat ku jetojnë njerëz, duke i mbështjellë ato me smog gri.