Ballina Aktualitet Autostrada Tiranë -Durrës punimet bllokohen nga 4 janari

Autostrada Tiranë -Durrës punimet bllokohen nga 4 janari

Autostrada Tiranë-Durrës do të mbyllet në datën 4 janar. ARRSH njoftoi se paralizimi i automjeteve në këtë aks do të bëhet për shkak të punimeve të dy tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë–Qafë Kashar.

Ky investim ka për qëllim përmirësimin e situatës së përmbytjeve në këtë rrugë.
Si pasojë e punimeve nga 4 janari lëvizja në autostradë nga mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.
Ndërkohë trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

ARRSH rekomandon përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe të shfaqur në media.

ARRSH dhe policia i kërkonë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.