Ballina Kronikë Autori i vrasjes së 24-vjeçarit në Laç i penduar para gjyqtarit, asnjë...

Autori i vrasjes së 24-vjeçarit në Laç i penduar para gjyqtarit, asnjë familjar në seancë

Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg Emanuel Kocën, 32-vjeçarin nga Tirana, i cili natën e 12 qeshorit, vrau pranë stadiumit të Laçit Viktor Shkorretin pas një sherri për një vend parkimi.

Koca ka deklaruar para togave të zeza se e qëlloi me armë Viktor Shkorretin duke e lënë të vdekur, pasi sipas tij 24-vjeçari e kishte qëlluar më parë me thikë, ndërsa ka shfaqur pendesë për krimin. Autori ka pranuar vrasjen ditën e sotme në momentin kur ka dalë para trupit gjykues, ndërsa ka shprehur pendesë për aktin.

“Jam penduar për atë çfarë kam bërë. Ai më ka qëlluar me thikë, ndaj dhe kam marrë armën dhe e kam vrarë” mësohet se ka deklaruar ai.

Ka qënë prokurori Bardhyl Shehi, ai i cili ka kërkuar masën e arrestit me burg, sakaq dhe gjyqtari Arapi ka pranuar kërkesën.

Gjatë momentit të gjykimit në sallën e gjyqit nuk ka marrë pjesë asnjë nga familjarët e autorit dhe as nga familjarët e viktimës. Viktima ka patur banesën e tij fare pranë vendit ku mbeti edhe i vrarë.

Në një vend parkimi para banesës së tij ka ardhur për të lënë makinën autori i krimit Emanuel Koca, banues në Tiranë, por ka hasur në kundërshtinë e 24-vjeçarit Viktor Shkorreti. Pas sherrit të nisur, Koca nxori automatikun dhe qëlloi për vdekje Viktor Shkorretin.