Ballina Aktualitet Austri, emigranti nga Kosova hero, shpëtoi fëmijën në oxhak

Austri, emigranti nga Kosova hero, shpëtoi fëmijën në oxhak

Një shqiptar është shndërruar në hero në Austri pasi i ka shpëtuar jetën një 14-vjeçari, i cili kishte mbetur i bllokuar në një oxhak.

Muharrem Behrami nga Podujeva, që prej vitesh punon në Linz të Austrisë, kishte dëgjuar thirrjet për ndihmë të 14-vjeçarit dhe ka njoftuar menjëherë forcat e rendit dhe zjarrfikësit. Së bashku më pas, ata kanë mundur ta nxjerrin 14-vjeçarin nga vendi ku kishte mbetur.

Rasti ka marrë jo pak vëmendje nga mediat austriake, me disa prej tyre që kanë publikuar shkrime të gjata e madje edhe në faqet kryesore.
Fëmija është shpëtuar në momente kritike dhe pas nxjerrjes nga oxhaku ishte përcjellë me ambulancë në spital, ku edhe ishte vendosur nën kujdesin e mjekëve dhe tani është jashtë rrezikut për jetën.

“Unë thjesht kam bërë detyrën time. Heronjtë e vërtetë të natës janë zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit,” – deklaroi Muharrem Behrami.
Shqiptari nga Kosova nuk e konsideron veten një shpëtimtar, por thjesht është i kënaqur që i ka shpëtuar jetën fëmijës.