Ballina OPINION At Gjergj Fishta, korifeu i letrave shqipe

At Gjergj Fishta, korifeu i letrave shqipe

nga Ilir Demalia

Më 30 dhjetor të vitit 1940, në moshën 69-vjeçare, pas një plomonie që kishte marrë gjatë një vizite në Troshan, në fillim dhjetor 1940, atje ku kishte filluar jetën shërbestare dhe letrare, kthehet në Shkodër, i sëmurë rëndë, dhe pushon për të shkuar në amshim, ai, i cili sundoi për gati gjysmë shekulli letrat shqipe, politikën, diplomacinë, ai që na dha alfabetin latin në Kongresin e Manastirit si kryetar i Komisisë Letrare të Alfabetit, i cili, me dijen, autoritetin, dashurinë për vendin dhe kombin, detyroi kongresin që mos futeshin harfet turke dhe cirilike, por alfabeti i Shoqërisë Bashkimi krijuar nga kleri françeskan, Abati i Mirditës Prenk Doçi dhe nga Ndoc Nikaj e Pashk Bardhi dhe At Fishta. Vigani i Veriut, me alfabetin latin e niste Shqipërinë nga Evropa Perëndimore nën pushtimin otoman 500-vjeçar.

Para se me mbyllë sytë, Vigani i Veriut At Gjergj Fishta, i rrethuar nga françeskanët e populli i Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të përlotur për dhimbjen që po i shkaktonte njeriu që kishte punue për pesë dekada për popull e komb e vend të vetin, At Fishta lëshoj këtë testament:

“Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por deka po më vjen e randë, se tan jetën e kam shkri për me pa një Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të huaja. Po des. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje. Po des konden përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë.”

Në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe atë botërore, nuk mund të gjëndet një figure kaq e larte, kaq poliedrike.

Meshtar, politikan, poet, publicist, linguist, arkitekt, piktor, diplomat, filozof, të gjitha këto në një shkallë të epërme. Këtë vigan të tokës shqiptare e gjen kudo, si maratonomak i pavarësisë, si njeriu i alfabetit shqip, si mbrojtës i çështjes shqiptare në kancelaritë evropiane dhe deri në Uashington me argumentet dhe sharmin e tij tronditi kancelaritë, si mësues që hapi shkollat shqipe dhe përgatiti një program brilant për sistemin shkollor, në një kohë që 90 përqind e shqiptarëve nuk dinin shkrim e këndim.

Me që jemi në aktualitetin e krizës universitare, ja çfarë shkruan Vigani i Veriut në programin e tij:

“Po këtu, gjithkund e prej gjithkujt po bahet politikë… E mbas këso qëllimesh politike e fetare kjo ministri ep bursat shkollore, emnon mësuesit e drejtorët e shkollave, dan materialin shkolluer. Unë, ma tepër Ministrinë e Arsimit e padis se shkollat nuk i çilë mbas nji kriteri të arsyeshëm, të caktuem e të parashkoqitun mbas interesave të përbashkëta t’Atdheut, por mbas hamendjes së Ministrit apo të këshilltarëve të tij, thue se në këtë veprim ishin tuj përdorue gjanë e pasuninë e vet e jo të komit.”

Të flasësh për At Fishtën, poetin që ka 64 mijë vargje, i dyti botë mbas Nekrasovit të Rusisë, dhe për njeriun që ka pasuri leksikore të pakrhasueshme, 14 mijë fjalë në veprën tij, i dyti mbas Shekspirit, i cili ka 17 mijë fjalë, do të duhen fashikuj pafund gazetash e librash.

Le ta kujtojmë sot këtë njeri që i dha aq shumë kombit dhe ende nuk e ka një monument!!! Është njësoj sikur Italia mos të ketë monument për Dante Aligerin, Gjermania për Gëten, Anglia për Shekspirin, Franca për Balzakun, Rusia për Nekrasovin apo Pushkinin, e…

Shtëpia ku jetoi vigani rrënohet, varrin ja shkatërruan komunistët, të cilët e ndaluan çdo gërmë të veprës së tij, sa nuk e përmendnin as si kryetar i Komisisë Letrare të Kongresit Manastirit.

“O Zot, – shkruante Vigani, – pse gjuen me rrufe, lisa e male kot?!”

Tradhëtarët na lanë pa atdhe.

Le ta kujtojmë sot me çfarë kanë thënë për padren e madh, elita e mendimit evropian dhe shqiptar për të thyer heshtjen e qeverive që bëhet për këtë vigan, të cilin e nderoi Evropa me titujt ma të naltë dhe në 1936 ishte kandidat për çmimin Nobel, megjithëse nuk i përmendet.

  • Kurorë Argjëndi, nga Klubi “Gjuha Shqipe” i Shkodrës (1911)
  • Dekorata Mearif, nga Perandoria Osmane (1912)
  • Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë (1912)
  • Penë Floriri, nga qyteti i Beratit (1913)
  • Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925)
  • Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit Françeskan (1929)
  • Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931)
  • Anëtar i akademive të Francës, Austrisë, Malit të Zi, Greqisë, Italisë, Turqisë, Kroacisë

Ja çfarë thonë për At Fishtën, të cilin elita francize e ka quajtur “Tirteu i Shqipërisë”:

“Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji furi të çuditshme ther e pren aty ku djeg.” – Albanologu Fulvio Cordignano.

“Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.” – Geatano Petrotta.

“Fishta, shikuar n’atë qënien e vet, pa dyshim është krejtësisht romantik. Rëndësija e tij mbi kombësin, zgjedhja e lëndës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bëjnë dëshmí mjaft t’qartë … Fishta, ky gjenueni i rrënjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së thellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë ma të naltat të kulturës.” – Prof. Dr. Norbert Jokl.

“… Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikëpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro-thrakëve… Shqipnia pat nji fat t’madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes… I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta… Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.” – Maxmilian Lambertz.

“Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Dante Aligerin, Anglia pa Shekspirin, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Franca pa Balzakun, aq mund të kuptohet dhe Shqipëria pa At Gjergj Fishtën.” – Gustav Mayer.

“Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora.” – Erwin Stranik.

“Patër Fishta… me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë.” – Anton Baldacci.

“Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale.” – At Anton Harapi.

“At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së Malcis, një epope pastorale e kalorsiake, përkthimi gjerman i së cilës botuar në Laipsig është i dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit Fishtës dhe koloriti tij. Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se Lahuta e Gjergj Fishtës.” – Faik Konica.

“Tue lexue Lahutën e tij, përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma t’kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij ilire.” – Ernest Koliqi.

“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar,ky është si të thesha monopolitetioliteti’ gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit… Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!… Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit- anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija. Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të premten më 27 dhjetor 1940, ora 3:30 pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: … fundi i fundit, dhè Kombi ka të drejta mi mua.” – Lasgush Poradeci.

Në vitin 1935, At Fishta pat përfunduar Lahutën e Malcis. Ati i dërgon Lahutën Eqerem Çabejt, i cili ishte në Vienë, sëbashku me një kartolinë urimi për Vitin e Ri. Pas dy-tre muajsh, Çabej i kthen përgjigje At Fishtës, ku ndërmjet të tjerave i shkruan: “Padre, të falenderoj për urimet e Vitit të Ri, por të falenderohem njëmijë herë për veprën që më dërgove Lahuta e Malcis, të cilën, pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë me këtë vepër sa po më detyron të bëhem katolik.”

Në vitin 1936, gjuhëtari i shquar dhe studiuesi i letërsisë, albanologu më i madh, Eqerem Çabej, në studimin “Për gjenezën e literaturës shqipe”, kur flet për Fishtën dhe veprën e tij, ndër të tjera shprehet: “Një provë që nuk e kishte bërë me sukses letërsia shqipe më parë, bëhet me sukses të jashtëzakonshëm nga ky autor. Me Lahutën e Malcisë, Gjergj Fishta na tregohet poet me fuqi epike të lindur, rrëfimi i tij është plot gjallëri dhe rrjedhje. Vepra e këtij autori është e mbështetur në këngët e veriut, mbi trimëritë të cilat në veprën e re thuren duke u përsosur e fisnikëruar.”

“Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar në njësinë e madhe të kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri me Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjëroj botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën në një brendi kombtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar … duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës. Gjergj Fishta është bërë, sidomos me Lahutën e Malcisë, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare.” – Eqerem Çabej.

“Lahuta e Fishtës çfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat me të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata… Shqipëria e tërë përfshihet e dehur nën vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombtare, mish e gjak, ndjenjë e mish i përbashkët.” – Sterio Spase.

“Si vetimë u përhap an’ e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët i vdekjes së poetit t’onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahnitun mbeti sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të ‘Lahutës së Malcisë’ që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës ‘Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja e ‘Lahutës’, odet dhe elegjitë e ‘Mrizit të Zanave’ e të poezive të tjera kanë mbledhë në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.” – Aleksandër Xhuvani (fjala e tij në varrimin e Fishtës).

“Fishta është elefant i mbuluar nga pluhri gjatë regjimit komunist.” – Petro Marko.

“Lahuta Malsisë, një vepër për analfabetët, për çobanët, për ambientet pastorale, për antishqiptarët proitalian, për zyrtarët që nuk u pononte truri për me gjetë thelbin e saj monstruoz. Siç ndodhte shpesh me krijimet që kanë vulën e nacionalizmit, vepra e Fishtës, e sidomos Lahuta Malsisë, fitoi një popullaritet të veçantë, qoftë me rrethet zyrtare, sidomos ato proitaliane e më pas kuislinge, qoftë me shtresa të prapambetura e disa herë analfabetë të popullsisë, të cilat nuk ishin në gjëndje të kapnin thelbin e saj, por e shihnin ate pjesërisht si një zinxhir episodesh. Veprës së Fishtës, sidomos Lahutës së Malsisë, i u ngrit një kult e iu u bë një reklamë e tillë, saqë rrezikonte ta kthente në një gur varri sa t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe.” – Ismail Kadare.

(marrë nga syri.net)