‘As balta, as helmi s’më hedhin poshtë’! Elvana Gjata flet për polemikat mbi festivalin, Arilena Arën dhe anëtaren e jurisë që i dha 2 pikë

23

Plot një ditë heshtje dhe pastaj foli… Këngëtarja Elvana Gjata ka zgjedhur rrjetet sociale për t’iu përgjigjur polemikave mbi festivalin e fundvitit, për fituesen Arilena Ara dhe Mikaela Mingën, anëtaren e jurisë që e vlerësoi me vetëm dy pikë, duke thënë se kjo nuk mund të ndalojë gjithë dashurinë që mori nga publiku.

Ajo ironizon rezultatin final, duke hedhur sytë nga juria, Elvana thotë se puna e saj nuk e ka hedhur kurrë poshtë ‘as balta e helmi, me apo pa porosi’, duke veçuar vlerësimin e jurisë europiane.

“Refuzoj te flas ne këto raste, por me duhet ta bej… Arilena… nuk është faji yt dhe te uroj me gjithë zemër vetëm sukses! Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët kudo qe ndodhen por dhe fansat e rinj Europiane për dashurinë, mbështetjen qe më keni dhënë që ditën që Me tana doli!

I kam pare te gjitha sondazhet e ju kam pare te këndoni e kërceni këngën me sytë e mi cdo ditë, e ju pashë dhe në sallë me duart lart!
Ju kam dëgjuar kur thërrisni emrin tim plot zjarr ne festivale ne Diaspore dhe ne Prishtine,e dëgjova dhe dje ne Tirane si kurrë me pare ne jetën time! Zemra plot!
Kam punuar fort e do punoj deri sa te kem fryme! Puna s’më ka hedhur poshtë kurrë, as balta e helmi, me apo pa porosi! Faleminderit jurisë europiane për vlerësimin maximal. U gëzova shume!

Dashni më fal as 2 pikëshi Mikaeles s’mundet me ma ndal! Pranojeni jetën. Me tana Gëzojeni jetën. Me tana, Mezi pres projektet e reja”, shkruan Elvana.

Elvana Gjata ishte përfolur që para nisjes së festivalit si një nga pretendentet kryesore për çmimin e parë.