Ballina Aktualitet “ArTurbina”, histori suksesi, 19 mijë spektatorë në 100 ditë

“ArTurbina”, histori suksesi, 19 mijë spektatorë në 100 ditë

Ministria e Kulturës shkruan në një njoftim për shtyp se “ArTurbina” mund të konsiderohet pa frikë një histori suksesi, pasi janë disa tregues që e dëshmojnë këtë gjë.

Sipas Ministrisë, domëthënës mbetet numri i lartë i spektatorëve; mesatarisht janë 19 mijë spektatorë nga shtatori deri në dhjetor, të cilët kanë ndjekur shfaqje të ndryshme në skenat e “ArTurbinës”.

“Numri i shfaqjeve është 90, nga të cilat 58 janë shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar dhe skena e pavarur; 11 janë opera dhe balet, ndërsa 21 janë evente të ndryshme kulturore. Mesatarisht rreth 1 shfaqje në ditë. Nga 37 subjekte në total që kanë dhënë shfaqje në këto muaj, më shumë se gjysma janë nga institucionet kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Pjesa tjetër janë nga skena e pavarur dhe subjektet private,” – thuhet në njoftim.

“ArTurbina” u ngrit pas rikonstruksionit të ish-Laboratorit të Hidroteknikës, një investim rreth 3.3 milionë euro i qeverisë shqiptare.

Synimi ishte shndërrimi i kësaj ndërtese të braktisur në një pol kulturor, në një qendër arti bashkëkohore e me standarde europiane. “ArTurbina” është konceptuar gjithashtu edhe si një qendër shumëfunksionale që do të stimulojë kreativitetin, do të krijojë një hapësirë të re qytetare, si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me spektatorin, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe ambienteve të reja artistike.