Arti shqiptar në zi, shuhet kompozitori Agim Krajka

130

Është ndarë nga jeta mesnatën e sotme në moshën 83 vjeçare kompozitori i madh Agim Krajka i cili mban dhe titullin “Artist i Popullit”. Lajmin e trishtë të shuarjes së një prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë e ka dhënë i biri, Ulis Krajka në rrjetet sociale.

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane.
Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.

Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.Agim Krajka i eshte dhene titulli artist i popullit.