Ballina Aktualitet Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Kiço Blushi

Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Kiço Blushi

Mbrëmjen e sotme shkrimtari dhe skenaristi Kiço Blushi është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Kiço Blushi, i ati i politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi, lindi në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse, filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) dhe në vitin 1974 kaloi si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III. Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë. Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti, Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste. Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Kiço Blushi ishte gjithashtu Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës Kombëtare të Kulturës.

Blushi vuante prej dy vitesh nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, e cila me ndarjen e tij nga jeta i shkaktoi artit shqiptar një humbje të madhe.