Arti në zi/Koronavirusi i merr jetën piktorit të njohur shqiptar

138

Koronavirusi i ka marrë jetën piktorit të njohur në Shqipëri, Mustafa Arapi. Ai ishte 70 vjeç dhe për fat të keq, nuk e fitoi dot betejën me virusin pasi ishte shtruar prej ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Lajmin e bën të ditur vajza e tij, Dorina e Arapi, e cila njofton se piktori ka vdekur në mesnatë dhe bën edhe një mesazh prekës për babanë e saj të ndjerë.

Disa ditë më parë ajo zbuloi se Mustafa Arapi ishte shtruar tek spitali COVID-2 dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë, Manastirliu që institucionet t’i kushtonin vëmendje babai të saj, si një personalitet i lartë në kulturën shqiptare.

“Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba! Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë! Të duam përjetësisht!”, – shkruan vajza e piktorit, duke njoftuar ndarjen e tij nga jeta.

I lindur dhe rritur në Tiranë, Mustafa Arapi u diplomua në Unversitetin e Arteve (Akademia e Arteve) në degën e pikturës në vitin 1979.

Pas studimeve, ka punuar si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Për disa vite ka qenë pedagog në Akademinë e Arteve. Në periudhën, 1993-2006 ka qenë shef i Departamentit të Punëve në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Gjatë kësaj periudhe, prej më shumë se 40 vitesh, ka restauruar Onufrët, Qipërjotët, Zografët, kisha afreske, ikona, banesa tradicionale etj.