Artan Lame “thumbon” të rinjtë:”Nuk fillohet jeta direkt drejtor, fillojeni njëherë”

58

Kreu i Kadastrës Artan Lame, ka bërë apel ndaj rinisë shqiptare për t’i nxitur ata të aplikojnë për “punë shteti”.

Lame ka lajmëruar se aktualisht ka 23 vende të reja pune dhe i ka inkurajuar të rinjtë të aplikojnë.

“Nuk fillohet jeta direkt drejtor. Fillohet edhe si specialist i thjeshtë, pastaj pas disa vjetësh kur ke fituar eksperiencë bëhesh edhe shef sektori, e më pas po qe i aftë edhe drejtor. Po fillojeni një herë”, shkroi  Lame, kur dha njoftimin.

E PLOTË NGA ARTAN LAME:

PUNE KA!

Më informojnë nga zyra e personelit se në Drejtorinë e Kadastrës Krujë janë 7 vende të lira, në drejtorinë Pogradec 5, në Gjirokastër 4, në Lezhë 7 vende. Duhen inxhinierë (ndërtimi, arkitektë, gjeoinformatikë, topografë, gjeodetë) dhe pak ekonomistë.

Drejtoria Krujë (që në fakt është në Fush-Krujë për shkak se shumica e problematikave janë poshtë në fushë) është fare pranë Tiranës, le më pastaj Fush Kruja, që është gati periferi e Tiranës. Dhe të mos ketë djem e vajza që të duan të shkojnë deri atje për të punuar!

Eshtë kollaj të bëhet ironi fejsbukjane me frazën e kryeministrit “Punë ka, po s’ka profesionistë”, por është e vështirë ta hedhësh poshtë atë në shumë raste.

Ej çuna, goca, jeta ka edhe të përpjeta. Nuk fillohet jeta direkt drejtor. Fillohet edhe si specialist i thjeshtë, pastaj pas disa vjetësh kur ke fituar eksperiencë bëhesh edhe shef sektori, e më pas po qeve i aftë edhe drejtor. Po fillojeni një herë.

Natyrisht që të zanatçinjtë e fejsbukut do ju shkurajojnë me të thënën se konkurset janë farsë, se i fitojnë vetëm bijtë e partisë, po ju bëni tuajën, ejani dhe do ta shihni.

Ndërkaq që po shkruaj, këto vende janë ende të lira duke ju pritur!

Në Krujë janë 7 vende të lira;

në Pogradec 5 vende;

në Gjirokastër 4 vende;

në Lezhë 7 vende.

ARTAN LAME