Arsimit dhe Financat caktojnë 13 shtatorin si datë për nisjen e shkollës. Por ende nuk dihet si do të zhvillohet mësimi

53

Nisur nga situata e krijuar nga pandemia, por edhe përhapja e variantit indian Delta, është kushtëzuar edhe nisja e vitit të ri shkollor.

Noal raporton se në urdhrin e përbashkët të firmosur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe ajo e Financave, Anila Denaj, është fiksuar edhe data. Arsimi parauniversitar nis më 13 shtator.

Në këtë dokument dy ministret kanë miratuar strukturën e vitit të ri shkollor. Sipas planit vjetor nxënësit e arsimit 9-vjeçar nisin mësimin në 13 shtator dhe e mbyllin vitin shkollor në 8 qershor të vitit 2022.

Ndërsa për gjimnazistët e dhe nxënësit e arsimit profesional, shkolla zgjat një javë më shumë se arsimi bazë, deri në 15 qershor. Pushimet dimërore, që ndajnë edhe tremujorin e parë të shkollës, janë planifikuar nga e premtja 24 dhjetor deri të martën më 4 janar.

Por mbetet e pacaktuar mënyra sesi do të zhvillohet mësimi në vitin e dytë të pandemisë nga koronavirusi. Ministria e Arsimit ende nuk ka vendosur skenarin që do të aplikohet vitin e ri shkollor.

Nuk dihet nëse nxënësit edhe këtë vit do ta zhvillojnë mësimin të reduktuar, me turne duke kombinuar mësimin online me mësimin në shkollë, nëse do të jenë vetëm online apo do të rikthehen plotësisht në klasa.

Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se skenari i zhvillimit të mësimit do të shqyrtohet nga ekspertët e shëndetësisë, në varësi të situatës nga përhapja e koronavirusit dhe mutacioneve të tij.

Megjithatë këtë vit thuajse të gjithë mësuesit dhe edukatorët janë të vaksinuar me të dyja dozat antiCovid. Ndërsa është ende në diskutim edhe mes ekspertëve në vendin tonë, nëse vaksinimi kundër koronavirusit do të përfshijë edhe fëmijët mbi 12 vjeç.

Pandemia e koronavirusit shkaktoi probleme të mëdha në arsim dhe mësimdhënie, ndërsa nxori se shkollat dhe mësuesit ishin të papërgatitur në lidhje me teknologjinë dhe zhvillimin e mësimit online.