Ballina OPINION Arsimi falas si hap i madh mbrapa për shoqërinë

Arsimi falas si hap i madh mbrapa për shoqërinë

Nga Besart Kadia

Studentët u ngritën për të hequr emrin Enver Hoxha nga Universiteti, por tani po ngrihen pa e kuptuar as vetë për ta emërtuar atë me emrin Edi Rama. I kërkojnë një individi të zgjidhë problemet e një gjenerate. Një individi që takson më shumë ata që janë më doktoraturë se ata pa shkollë. Një individi që e ka lënë shtetin pa Gjykatë Kushtetuese e me reforma të lëna përgjysmë. Reforma Territoriale, reforma e energjisë, reforma e ujit, reforma e gjyqësorit etj., janë vetëm shembuj se si besimi i gjithë shoqërisë, se një individ i vetëm mund të reformojë atë, është i gabuar. I njëjti gabim po ndodh dhe sot kur në masë i kërkohet Edi Ramës të ndryshojë politikat shtetërore në favor të arsimit falas.

Dhe këtu po dështojmë të gjithë të shohim rrezikun që do të krijohet nëse arsimi bëhet vërtet falas. Kjo nuk fuqizon studentin, por i jep fuqi të mëdha shtetit. Universiteti duhet të jetë cilësor e nëse kjo arrihet falas, le ta bëjmë. Por t’i kërkohet Edi Ramës (qeverisë) të bëhet aksionieri i vetëm në universitet është e gabuar për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Rama tha dje gjatë takimit me studentët e Universitetit të Vlorës se: “Paratë e universiteteve për tarifat tuaja, do t’i japim ne, qeveria”. JO.

Paratë do i japin prindërit e studentëve nëpërmjet taksave nga buxheti i shtetit. Në 15 vitet e fundit, tarifat kanë qenë gjithmonë të subvencionuara nga shteti dhe kjo varësi në fonde ka bërë politikën të ketë influencë të madhe në universitete. Arsyeja përse kemi universitete jocilësore dhe të influencuar lehtësisht nga politika lidhet direkt nga varësia financiare që ato kanë ndaj shtetit.

Ndaj, nëse bëhet arsimi i lartë falas, Edi Rama do të jetë me paratë tona i vetmi aksioner në universitete dhe do ketë pushtet akoma më të madh. Ligji duhet t’u japë universiteteve autonomi të plotë! Studentët e bizneset duhet të jenë aksionerët e vetëm në universitet. Shteti dhe arsimi universitar nuk kanë punë me njëri-tjetrin. Ai që të financon, nuk të lejon që ta kritikosh. Shoqëri të hapur e konkurruese, ku shteti kontrollon botën akademike nuk mund të ketë. Arsim falas do jetë njësoj si shëndetësi falas. Të dyja të dështuara e të korruptuara.

Pamjet e Kryeministrit shëtitës nga një auditor në tjetrin janë pamje frikësuese për të ardhmen e shoqërisë sonë. Kryeministri (shteti) s’ka vend në auditor (universitet).

Arsimi falas kërkon që shteti të jetë 100% aksioner në universitet e kjo do jetë një hap i madh pas për studentët, për shoqërinë e për ekonominë tonë. Gjërat do bëhen më keq nga ç’janë aktualisht!