Ballina Aktualitet Eshtrat e Midhat Frashërit kthehen në atdhe

Eshtrat e Midhat Frashërit kthehen në atdhe

Eshtrat e Midhat Frashërit pritet të niset sot në Shqipëri, ndërsa më 14 nëntor është parashikuar ceremonia e rivarrimit të tij në Shqipëri.

Eshtrat e Midhat Frashërit u nxorën më 9 nëntor nga varreza Ferncliff e qarkut Westchester, ku preheshin që nga viti 1949 dhe u sollën në Qendrën Nënë Tereza të kishës shqiptare që ndodhet pranë varrezës, për ceremoninë e përcjelljes që u mbajt një ditë më pas.

Zëri i Amerikës njoftoi se eshtrat do të nisen për në Shqipëri më 12 nëntor.

Në ceremoni, përpara arkivolit të mbështjellë me flamur të qëndisur me dorë, qëndronin pjesëtarë të familjes, përfaqësues nga Shqipëria, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare dhe njerëz që dëshironin të shprehnin respektin e tyre për Midhat Frashërin.

Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo, tha: “Kthimi i i Midhat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit. Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave. Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe,”- citon Zëri i Amerikës.