Ballina BOTA Argjentinë, çfarë pritet nga samiti G20

Argjentinë, çfarë pritet nga samiti G20

Udhëheqësit botërorë po mblidhen në Argjentinë ku do të takohen për samitin vjetor të G20-s, ndërsa në sfond qëndrojnë çështje të mprehta si tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës dhe mosmarrëveshjet tregtare midis ShBA-së dhe Kinës.

Një ditë para fillimit të samitit, presidenti amerikan Donald Trump anuloi takimin me homologun rus, Vladimir Putin, në shenjë proteste për sekuestrimin e një anijeje ukrainase dhe arrestimin e ekuipazhit prej 24 vetash në Detin e Zi. Ndërsa kancelarja Angela Merkel ka fajësuar “tërësisht” Rusinë për krizën dhe ka deklaruar se do të bisedojë për këtë me presidentin Putin.

Ndërkohë, në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires, ka filluar një operacion i madh policor për të garantuar sigurinë, bankat dhe distrikti financiar janë mbyllur.

Gjatë samitit priten të shënohen përparime për mosmarrëveshjet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së. Dy gjigantët ekonomikë janë përfshirë në një luftë tregtare, e cila në mungesë të një marrëveshjeje mund të përshkallëzohet.

Në fokus të bisedimeve do të jetë edhe çështja e ndryshimit të klimës. Presidenti francez Emmanuel Macron është cituar nga agjencia AFP të ketë deklaruar se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje tregtare me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, nëse presidenti i zgjedhur i Brazilit, Jair Bolsonaro, tërhiqet nga marrëveshja për klimën.

Samiti do të jetë një provë edhe për Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman, për shkak të dyshimeve të përfshirës së tij në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Turqi dhe do të mbledhë së bashku udhëheqësit e 19 vendeve më të industrializuara plus BE-në. Tema zyrtare e takimit është “zhvillimi i drejtë dhe i qëndrueshëm.”