Ardi Veliu paraljmëron protestuesit:”Ndaloni, zbatoni Aktin Normativ, ose do të mbyllemi”

413

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, njoftoi se nëse nuk do të ketë qetësim të protestave, vendi mund të shkojë drejt një mbylljeje më të thellë.

“Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë”, thotë kryepolici Ardi Veliu në një komunikatë që shpërndau sot zyra e tij për shtyp.

“Tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për: -Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë; -Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme; -Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik; -Ndalimin e muzikës pas orës 20:00; -Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00; -Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00; -Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit; -Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19”.

Kryepolici në asnjë moment nuk i është përgjigjur thirrjeve të protestuesve për t’u dorëhequr.