Ballina RAJONI Ambasada amerikane kundër taksës së Kosovës ndaj mallrave nga Serbia

Ambasada amerikane kundër taksës së Kosovës ndaj mallrave nga Serbia

Në Prishtinë, e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane, Colleen Hyland, tha se Kosova nuk përfiton nga rritja e taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social twitter, ajo shkroi se “Kosova nuk përfiton nga rritja e detyrimeve ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s. Vetëm krijon pasiguri për bizneset dhe jo qëndrueshmëri ekonomike.

Qeveria e Kosovës miratoi javën e kaluar vendimin për t’u vënë taksa shtesë prodhimeve nga Serbia, si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare por edhe siç thuhet përzierjes së saj në punët e brendshme të Kosovës.

Sipas qeverisë taksa shtesë prej 10 për qind përfshinë mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia por edhe nga Bosnja e Hercegovina, e cila nën trysninë e entitetit serb, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Kosova importon mallra nga Serbia me vlerë prej mbi 400 milionë eurosh dhe zyrtarë të qeverisë thanë se ajo po i përdorë paratë e fituara në Kosovë për të dëmtuar shtetësinë e saj.

Taksa nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe mbizotëroi takimin e fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

Bashkimi Evropian, e cilësoi veprimin e Kosovës si shkelje të qartë të detyrimeve të Kosovës sipas CEFTA-s, (marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore) dhe kërkoi të tërheqë atë.

Marrëveshja CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Kosova është anëtare e kësaj marrëveshjeje që nga viti 2007.