Aksidenti në Durrës për hakmarrje, 41 vjeçari e përplasi qëllimisht kalimtarin

93

Ai që dje u duk dhe u raportua si aksident në Durrës, doli se ishte vrasje e mirëfilltë në rrethana hakmarrjeje.

Policia tha sot se zbardhi shkakun e ngjarjes rrugore të ndodhur ditën e djeshme në Rromanat.

Pas veprimeve hetimore rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor, por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje.

Për këtë, u vu në pranga 41-vjeçari, M.I., 41 vjeç, banues në Rromanat, Durrës.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjithçka ka ndodhur dje rreth orës 15;00, në fshatin Rromanat, Durrës.

Sipas hetimit, 41 vjeçari, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjëndje të dehur, ka goditur këmbësorin shtetasin Sh.E., 57 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i cili si pasojë e goditjeve të marra, ndërroi jetë.

Shtetasi M.I., dyshohet se ka goditur shtetasin Sh.E., për motive hakmarrje, pasi Q.E., (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I., (babai i të dyshuarit).

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i kqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesonale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin M.I., 41 vjeç, banues në Rromanat, Durrës.

Policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Një ditë më parë, policia dha këtë njoftim mbi ngjarjen:

Më datë 10.10.2020, rreth orës 15:35, në Rromanat, shtetasi K.I., 41 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, ka aksidentuar një shtetas këmbësor ende të paidentifikuar, i seksit mashkull,  rreth 70 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambjentet e Policisë për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.