Ballina Kronikë Aksidente nga sinjalistika, banorët në Bicaj e Nangë kërkojnë vendosjen e kufizuesve...

Aksidente nga sinjalistika, banorët në Bicaj e Nangë kërkojnë vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë

Mungesa e sinjalistikës dhe fushëpamja e kufizuar nga kthesat e forta janë kthyer në shkak për aksidente në rrugën Kukës-Bicaj. Banorët e fshatrave përgjatë rrugës kërkojnë ndërhyrjen me vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë, pasi thonë se po i shtypin makinat në derë të shtëpisë. Rikondstruksioni i fundit i rrugës nuk përfshinte ndërtimin e barrierave anësore të rrugës.

Mungesa e sinjalistikës e ka kthyer në burim aksidentesh rrugën që lidh qytetin e Kukësit me fshatrat Nangë e Bicaj.

Rasti më i fundit ishte vetëm pak ditë më parë, ku një 15-vjeçar mbeti i plagosur dhe aktualisht  ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës në Tiranë.

“Të vendosen pengesa, policia të lëvizë sa më shumë në këtë zonë”.

Banorët thonë se rruga që kalon përmes dy fshatrave ka fushëpamje të kufizuar dhe kthesa të rrezikshme.

Ndaj ata kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për vendosjen të kufizuesve të shpejtësisë pranë shkollës e zonave të banuara.

“Këtu kalojnë fëmijët dhe nxënësit e shkollës, shkolla është 100 metër distancë”.

Ky aks është rikonstruktuar vite më parë por projekti nuk përfshinte ndërtimin e trotuareve që do të lehtësonin qarkullimin e banorëve. Mungon edhe ndriçimi.

“Mbi 50 aksidente, u mbyll thonë”.

Segmenti rrugor Kukës-Bicaj është pjesë e rrugës nacionale Kukës-Peshkopi.