Ballina Aktualitet Afati i regjistrimit të koalicioneve në KQZ

Afati i regjistrimit të koalicioneve në KQZ

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” është grupimi i parë i partive politike që pritet të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Për regjistrimin e koalicioneve në proceset zgjedhore, ligji ka parashikuar një afat që nëse tejkalohet, humbet mundësia për të hyrë në zgjedhje si formacion partish politike. Kodi Zgjedhor ka parashikuar se regjistrimi i koalicioneve në zgjedhje duhet të bëhet 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Neni 65 i Kodit flet për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, ku thuhet se: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”.

Kësisoj, sipas kësaj pike, afati i fundit për t’u regjistruar është dita e parë e muajit maj. Por 1 maji përkon në kalendarin e festave zyrtare dhe ky afat shtyhet automatikisht me 24 orë.

Praktikisht, koalicionet zgjedhore do të kenë afat të fundit datën 2 maj për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ende nuk ka një vendim nga kampi opozitar, i cili ka firmosur krijimin e një koalicioni, por nuk ka vendosur nëse do të garojë në zgjedhje.