Ballina Aktualitet 93-vjetori i Forcave Detare, ministrja Xhaçka: Qëndrimi në detin Egje zgjatet edhe...

93-vjetori i Forcave Detare, ministrja Xhaçka: Qëndrimi në detin Egje zgjatet edhe një vit

93 vjet nga krijimi i saj, Forca Detare shqiptare ashtu si gjithë Forca e Armatosur, ka pësuar transformime të thella që i janë përgjigjur kërkesave dhe sfidave të kohës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, sot kjo forcë është rikonceptuar, ristrukturuar dhe integruar natyrshëm me strukturat e tjera të Forcave tona të Armatosura, duke u bërë pjesë e sistemit të mbrojtjes së hapësirës detare të NATO-s.

“Në planet tona afatgjata ne kemi parashikuar zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës Detare, dhe modernizimin e saj me paisje dhe mjete lundruese moderne, trajnimin e personelit me standardet e Aleancës, që t’i përgjigjemi jo vetëm kërkesave tona por edhe atyre të NATO-s,” – u shpreh Xhaçka.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se falë profesionalizimit të treguar nga efektivët shqiptarë, në 24 muajt e operacionit të NATO-s “Sea Guardian”, misioni do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2019.

Xhaçka gjithashtu u shpreh se gjatë këtyre dy viteve prezenca jonë atje është tepër e vlersuar dhe e kërkuar nga drejtuesit e operacionit, dhe se marinarët janë kthyer në heronj duke shpëtuar mijëra jetë njerëzish. Ajo është shprehur e vendosur se do të vijojnë edhe vitin që vjen të jenë sërish prezent në këtë rajon.

93- vjetori i krijimit të Forcës Detare përkon edhe me 100 vjetorin e lindjes së Kundëradmiralit më jetëgjatë, të Flotës Luftarake Detare, Abdi Matit.

“Me 28 vite në shërbim të Forcës Detare, 24 prej të cilëve në krye të saj, është kthyer në një legjendë të pa kontestueshme që kujtohet me respekt nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij,” – ka theksuar ajo.

Në nder të Matit, familja e tij botoi albumin me foto e fakte historike për figurën e Kundëradmiralit dhe të Flotës Luftarake Detare në vitet 1945-1992.