Durrës/Koronavirusi nuk ndal shpërndarësit e drogës, vihet në pranga 43 vjeçari

127
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit në zbatimin e masave për parandalimin e COVID-19, vijojnë punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.
Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Start 1”, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Policia ka vënë në pranga poseduesin, njëherazi edhe shpërndarësi i lëndës narkotike.
Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një motor dhe një shumë e konsiderueshme parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë të hetimit të ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Start 1”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
E. V., 43 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas u kap në flagrancë gjatë operacionit, në lagjen nr. 15 Durrës. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 89 doza me kokainë, 7615 euro, 50.000 lekë të reja që dyshohet se ishin të përfituara nga shitja e kokainës, si dhe motorin që përdorte për të shpërndarë lëndën narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.