Basha i bën thirrje qeverisë të dëgjojë propozimet e opozitës: “Mbyllni call center dhe fasoneritë”

114

Kryedemokrati Basha prej ditësh bën thirrje që Call Center dhe fasoneritë të mbyllen. Sipas tij pas takimeve me përfaqësues të këtyre bizneseve ka marrë prej tyre një dakordësi unanime për sa i përket kësaj kërkese që shtron prej ditësh.

“Mendoj se Kryeministri duhet t’i dëgjojë ata. Gjithashtu duhet të dëgjojë çdo propozim që vjen, qoftë nga opozita sepse qëllimi im, qëllimi i Partisë Demokratike, i opozitës nuk është as t’i bëjë hije, as t’i bëjë karshillëk Kryeministrit, por të ndihmojë sa është e mundur përmes propozimeve konstruktive për marrjen e masave të domosdoshme në këtë gjendje lufte, siç e ka quajtur, në këtë gjendje të vështirësisë së jashtëzakonshme për njerëzit. Dhe këtu nuk ka absolutisht asnjë diskutim: E para që këto biznese janë vatra të rrezikshme, të cilat zhvlerësojnë çdo përpjekje tjetër që bëhet për distancimin social, hedhin poshtë çdo përpjekje tjetër që bëhet nëpër shtëpitë duke i mbajtur të izoluar njerëzit, në qoftë se kryefamiljarët, kryefamiljaret në rastin e fasonerisë, i mbledhim në ambiente të mbyllura në një afërsi të tillë fizike me shumë pak mjete mbrojtëse, krejtësisht të pamenaxhueshme. Pra, është qartësisht një bombë me sahat”, u shpreh Basha për televizionin “Abc”.

Ndër të tjera Basha rikujtoi se këto biznese janë të lidhura ngushtë me vendet si Italia, Spanja e Franca të cilat njësoj si ne janë në emergjencë pra hapja e tyre nuk do të ndryshonte diçka thelbësore përveçse do të rriste kontaktin mes individëve që punojnë në këto ambiente.

“Pra, nuk bëhet fjalë këtu për aktivitetet jetike për ekonominë. Aktivitetet jetike për ekonominë janë ato që mbështesin zinxhirin e përditshëm të furnizimit me mallra ushqimore, farmaceutike, ujin, energjinë”, tha ndër të tjera kryetari i PD në lidhje direkte.