Shkon në 76 numri i të prekurve me Covid-19, në Shqipëri

287

Rritet sërish numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, duke shtuar në 24 orët e fundit 6 raste të reja, ndërkohë që 37 persona ndodhen të shtruar te Spitali Infektiv.

Ministria e Shëndetësisë, informoi mesditën e sotme se nga testet e kryera kanë rezultuar edhe 6 persona të tjerë të prekur nga Covid-19, duke çuar në 76 numrin e të prekurve.

Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19: – 5 qytetarë nga Tirana, kontakte të rasteve pozitive – 1 qytetar nga Fieri, gjithashtu person kontakti.

Deri në këto momente janë testuar 778 janë raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 76 raste. Nga totali i rasteve të konfirmuara, 59% janë meshkuj dhe 41% janë femra. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve positive, është si vijon:

• Tiranë 55 qytetarë • Durrës 5 qytetarë • Lushnje 2 qytetarë • Elbasan 2 qytetarë • Fier 8 qytetarë • Rrogozhinë 2 qytetarë • Kavajë 2 qytetarë

Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.

Ministria e Shëndetësi njoftoi se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 37 pacientë të shtruar, 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues që përfundoi mbrëmjen e djeshme. Por edhe pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.

“Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19. Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër falas 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë.

Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Edhe një herë përsërisim apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre që të mos preken nga COVID-19 dhe të ndihmojnë stafet mjekësor për të përballuar këtë situatë.