Kompanitë e mëdha dhe laboratorët kërkimorë garë për të mposhtur Covid-19

86

Kompanitë e mëdha dhe laboratorët kërkimorë në mbarë botën janë vënë në garë për gjetjen e vaksinave dhe kurave për koronavirusin e ri, duke përdorur teknologji nga më të ndryshmet. Virologu Benjamin Neuman, nga Texas A&M University-Texarkana, paralajmëron megjithatë se imunizimi ndaj një patogjeni është një përpjekje afatgjatë: nuk ka pasur kurrë sipas tij një vaksinë të suksesshme e cila të funksionojë kundër çdo pjesëtari të familjes se koronavirusëve.

“Do të ketë shumë testime, shumë gabime, por kemi plot variante për të provuar”, paralajmëron Neuman. Trajtimi megjithatë mund të mos vonojë shumë; antivirali remdesivir ka dhënë shenja mjaft premtuese dhe ka nisur tashmë të përdoret në raste të caktuara kundër koronavirusit edhe pa një aprovim të rregullt. Drejtues të kompanive të mëdha farmaceutike thonë se duhet të punojnë së bashku, nëse duan të jenë në gjendje të prodhojnë “ një sasi të paprecedent vaksinash”, kur ato të jenë të disponueshme.

“Është koha për t’u bërë bashkë e gjithë industria farmaceutike në mënyrë që të arrijmë t`i përgjigjemi sic duhet kësaj situate”, shprehet David A. Ricks, president i Federatës së prodhuesve dhe shoqatave farmaceutike. Tre muaj pasi u shfaq më së pari në Wuhan të Kinës, sëmundja sipas një njoftimi të Universitetit Johns Hopkins, ka marrë në mbarë botën më shumë se 10 mijë jetë njerëzish.