Ahmetaj sqaron planin “A” financiar teksa pranon haptas se buxheti shtetit po bie

150

Arben Ahmetaj, i ngarkuar nga Kryeministri për menaxhimin e situatës së koronavirusit, tha sot se paketa e miratuar nga Kryeministri Edi Rama, synon të krijojë një lehtësim për qytetarët dhe bizneset që preken nga situata e krijuar për shkak të Covid-19.

Ahmetaj deklaroi hapur se buxheti po bie me shpejtësi dhe pohoi se paketa e ndihmës arrin në 1.56% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Vetëm këtë muaj shohim një rënie të mundshme deri në 70 milionë dollarë dhe muajt e tjerë goditja mund të dyfishohet. Është njëlloj si një plagë e rëndë në trup, që fillon e humbet gjak”, tha Ahmetaj.

“Unë kam eksperiencë modeste, por nuk e kam parë ndonjëherë situatën kaq të vështirë ekonomike në 30 vite. Kam përjetuar vitin 1992, vitin 1997. Kam qenë asistent i ministrit të Financave”, u shpreh Ahmetaj duke nënkuptuar kështu seriozitetin e situatës.

“Synon mes të tjerash tre elementë kryesorë: të jetë një ndërhyrje për shtresat në nevojë, për ata që humbin punën përkohësisht për shkak të situatës dhe agresivitetit të përhapjes së virusit, të ketë në dorë instrumente financiare që t’i përgjigjen menjëherë situatës, të afrojnë një lehtësi të konsiderueshme për të gjitha sipërmarrjet, që për shkak të ngadalësimit serioz të ekonomisë, të kenë mundësi të financojnë punonjësit. Pra, paketa është e menduar mirë dhe i ka dhënë në dorë qeverisë fleksilibitetin për të reaguar në dinamikë ditë pas dite. Kjo është paketa e planit A, pasi beteja mund të jetë më e gjatë, lufta me armikun e padukshëm mund të jetë më e gjatë. Tani u bënë dy armiq, njëri është risku për shëndetin publik, dhe instrumentet financiare, që Shqipëria nuk i ka si vendet e tjera të botës; tjetri është rënia ekonomike”, u shpreh Ahmetaj, në një intervistë për ‘News 24’.