48 kg drogë të sekuestruara, armë e radiomarrëse policie, dy persona në pranga/EMRAT

39

Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pas sekuestrimit të 48 kilogramëve kanabis sativa, armësh dhe municione.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatin Kuç, Vlorë, dy persona posedonin lëndë narkotike, armë zjarri, si dhe kishin kultivuar bimë narkotike, u organizua dhe finalizua  operacioni policor i koduar “Çepraku”.

Gjatë tij u bë kapja dhe arrestimi i  Ergys Fejzaj, 19 vjeç dhe Idajet Guhacaj, 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

Si rezultat i këtij operacioni, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e fshatit Kuç, Njësia Administrative Horrë-Vranisht, bashkia Himarë, në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar kanabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse.

Po gjatë operacionit, policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar kanabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.