Ballina Aktualitet Tiranë, 100 mln euro kredi nga Gjermania për energjinë, ekonominë dhe ujin

Tiranë, 100 mln euro kredi nga Gjermania për energjinë, ekonominë dhe ujin

Banka Gjermane për Rindërtim do t’i ofrojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë një financim prej 100 milionë euro në dy vitet e ardhshme. Fondi do të përdoret në projektet për energji dhe furnizimin me ujë të popullësisë, si edhe për menaxhimin e mbetjeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Gjithashtu, kredia do të shfrytëzohet dhe për parandalimin e përmbytjeve dhe për pastrimin e plazheve.

Përfaqësuesi i Bankës Gjermane për Rindërtim, Dirk Schattschneider, tha se “Shqipërisë do t’i jepet një kredi në vlerën e 100 milion eurove, përmes të cilës do të reformohet rrënjësisht sektori i energjisë, sikurse do të përmirësohet furnizimi me ujë për popullësinë.” “Do ta vendosim në dispozicion të bujqve për t’i bërë ata më konkurues në treg, do iu mundësojmë të rinjve formim profesional dhe të papunëve kualifikime të ndryshme. Sipërmarrësit do të marrin trajnime për çeljen e sipërmarrjeve të tyre të reja në zona turistike,” – tha Schattschneider gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ministrin e financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj.

Kredia e Bankës Gjermane për Rindërtim synon të mbështesë Shqipërinë në plotësimin e kushteve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.