Ballina Aktualitet Tiranë, presidenti Meta dekoron drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer

Tiranë, presidenti Meta dekoron drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer

Presidenti Ilir Meta vlerësoi drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri me dekoratën “Për merita të veçanta civile”. Presidenti Meta i dorëzoi dekoratën Walter Glos, në përfundim të mandatit të tij, me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të çmuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe partnerit të saj strategjik Gjermanisë, si dhe për promovimin e vlerave dhe standardeve europiane në vendin tonë”.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, duke iu drejtuar të pranishmëve, presidenti Meta theksoi se “prania e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri është padyshim një aset i çmuar dhe shprehje konkrete e mbështetjes së gjerë që Gjermania, një vend mik dhe partner strategjik, i jep vendit tonë në të gjitha platformat e bashkëpunimit.”

Walter Glos, pasi falënderoi presidentin Meta, vuri në dukje se e mirëpriti me kënaqësi këtë vlerësim, që, sipas tij, vjen si fryt i përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit për forcimin e mëtejshëm të demokracisë së re në Shqipëri.